E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Bojkoti i PS-së, degradim i Ramës

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e cilësoi sot bojkotin parlamentar të Partisë Socialiste "një degradim të kryetarit në detyrë të PS-së, Edi Rama".
Në një prononcim për mediat, Meta tha se "asgjë nuk do ta ndalojë projektin e europianizimit të Shqipërisë dhe të liberalizimit të vizave". Sipas tij, "kundër këtij projekti nuk është Partia Socialiste, por vetëm një lidership, i cili ndërmerr hapa vetëm për interesa të tij personale".
"Iniciativa të tilla të vjetra të politikës shqiptare, që janë jashtë realitetit në të cilën jetojmë, bëhen vetëm për qëllime personale dhe nuk kontribuojnë aspak për Shqipërinë", theksoi Meta.
Kryetari në detyrë i PS-së, Edi Rama, e kushtëzoi sot hyrjen në Kuvend të grupit parlamentar të kësaj partie, me hetimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit, që siç ka deklaruar ai "ishte i deformuar".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›