E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Meta: Buxheti 2025 shton varfërinë dhe korrupsionin

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2025, për të cilin thotë se është më antisociali, që shton varfërinë dhe korrupsionin.

Në një postim në rrjetet sociale, nga burgu ku ndodhet i arrestuar me urdhër të SPAK, Meta shkruan se pensionistët do të diskriminohen më tej me këtë buxhet.

“Fondi për politika të reja pensionesh për vitin 2025 parashikohet vetëm 1.6 miliard lekë ose rritje me 0.9% të fondit total të sigurimeve shoqërore. Kjo do të thotë se pensionet nuk do të rriten as 1% kur vetëm niveli i inflacionit i parashikuar për vitin 2025 është 3%”- shkruan Meta.

Më tej kryetari i PL-së, shkruan se me këtë buxhet do të ketë edhe ulje të fondeve të kujdesit social përfshi dhe për familjet në ndihmë ekonomike që jetojnë në varfëri të tejskashme.

“Nga 26,1 miliard lekë në vitin 2024, në 23,7 miliard lekë në vitin 2025”- shkruan Meta.

Sipas Metës, e gjithë rritja ekonomike që është kontribut i të gjithë qytetarëve dhe taksapaguesve do të shkojë për investimet publike korruptive me kosto shumë herë mbi realen për të rritur korrupsionin.

“Rritja ekonomike do të shkojë për projektet PPP me mbështetje buxhetore për të vjedhur qytetarët, si dhe do shkojë për të rritur shpenzimet administrative të luksit”- shkruan Meta. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›