E Martë, 3 Nëntor 2026

Meta: Drejtësia e kapur prej fyti nga Rama, pastrojmë Tatimet nga nepotizmi

Pas Konventës së 27 prillit, Partia e Lirisë ka mbledhur sot (1 Maj) Komitetin Drejtues Kombëtar (KDK).

Gjatë fjalës së tij, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u ndal sërish të drejtësia, por këtë herë jo për të sulmuar kreun e SPAK, Altin Dumani, por për të treguar sipas tij se drejtësia është “kapur prej fyti nga Edi Rama”. Meta tha se qeveria ka vjedhur fondet e BE, ndërsa ka futur drejtësinë në kolaps me hartën e re gjyqësore, duke lënë qytetarët pa zgjidhje.

“Vjedhin edhe lekët e BE, bëjnë edhe këtë turp. Ka edhe njerëz të ndershëm që nisin hetimet. I çoi lekët e IPARD te inceneratori, ndërkohë ata në Fier i derdhin domatet në rrugë. Kjo ndodh se s’ka drejtësi, drejtësinë e ka kapur për fyti Edi Rama. Do iki se s’bën, si nuse do iki. Ku është Ramaforma e premtuar? Me hartën e re gjyqësore që bënë këta, që thanë do përmirësohet aksesi në drejtësi, i lanë qytetet pa gjykata. Zbrazen gjykatat dhe prokuroritë duke u zhytur në kolaps sistemi i drejtësisë qëllimisht”, tha Meta.

Një tjetër pikë e ndalur nga Meta ishte edhe nepotizmi, por këtë herë pasi pastroi Partinë e Lirisë, u ndal te drejtoria e Tatimeve dhe Doganave.

“Do të ndërtojmë një sistem fiskal të drejtë. Të çrrënjosim nepotizmin në Tatime e Dogana”, tha Meta.

Meta pasqyroi edhe 5 prioritetet e programit të Partisë së Lirisë, ku shpopullimi dhe rrija e pagave mbanin peshën kryesore.

“5 prioritetet e PL janë ndalimi i shpopullimit, rritja e pensioneve, investimi në arsim dhe kapitali njerëzor, bujqësia, ushqimi dhe ulja e kostot së jetesës, Shqipëria fuqi eksportuese. PL ka një program ambicion dhe shumë realist. Sot vendi ynë ka pagat dhe pensionet më të ulëta krahasuar me vendet e rajonit”, tha Meta.

Gjatë mbledhjes së sotme te KDK pritet të propozohen dhe miratohen anëtarët e rinj të Kryesisë Politike dhe zëvendësit e  Sekretarëve të Përgjithshëm.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›