Meta: Mbështesim programin dhe qeverinë e re
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka deklaruar në emër të grupit parlamentar të LSI-së mbështetjen e plotë për qeverinë e re dhe të programit të saj qeverisës.
Duke folur në sallën e Kuvendit, Meta ftoi kolegët e tij demokratë të votojnë pro programit të qeverisë së re.

Kam dëgjuar këto dy ditë vërejtjet për programin e qeverisë dhe jam i sigurt që edhe ata që kanë shkruar këtë program do të reflektonin por nuk mund ta kuptoj se si mund të atakohet ky program.Vendi ka nevojë për reformat dhe e tha me shumë të drejtë deputeti Dashamir Shehi dhe një nga këto është reforma administrative dhe kjo nuk ka ndodhur për shkak të votave në parlament. Hajt të bashkojmë vullnetin tonë dhe ti japim vendit një reformë administrative dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Do ti ftoj kolegët e PD-së, si forcë që kemi bashëqeverisur për 4 vite me interes intgrimin, që ka pasur arritje, të kontribuojnë në këtë proces pasi ky është një proces jetik për vendin, jo vetëm për socialistët por për mbarë qytetarët. Ne duhet të mësojmë nga gabimet e njëri tjetrit. Ne mbështesim programin e kësaj qeverie pasi në fokus është punësimi” tha Meta.
Më pas fjalën në kuvend e ka marrë, Kryetari i grupit parlamentar, Edi Paloka, i cili ka lëshuar një lum akuzash në drejtim të kryeministrit, Edi Rama.
Paloka: Rama kompleks inferioriteti ndaj Berishës. Krimi kontrrollon Ramën për interesat e tij

“Një pjesë e shqiptarëve e besuan Ramën, besuan se shëndetësinë dhe ilaçet mund ti bëjë falas, besuan se do të ul borxhin e brendshëm dhe të jashtëm, besuan se do kompesojë pronarët, besuan se do paguaj 25% të përndjekurit, etj etj. Fatkeqësisht shumë e besuan këtë, dhe u bënë 1 milionë, ajo shifra që pëlqen kaq shumë Rama ta përmendë gjithmonë.
Por 1 milionë votat u kthyen në 1 milionë shuplaka për opozitën. Që ditën e parë të kuvendit, kërkuan me arrogancë të na mohonin të drejtën për tu njohur me programin e tyre qeverisës. Të nesërmen shfaqja e urrejtjes ishte edhe më evidente. Ky zotëri e urren opozitën, dhe jo vetëm atë por ky zotëri urren të gjithë ata që i dalin kundër, të gjithë ata që e kundërshtojnë.
Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e parlamentit, që opozita mos të njihet me programin. Partia Socialiste e ka gjetur kokën e saj. Ka gjetur një kokë që kur dikush qesh thotë të mos qeshi, që kur nuk qesh, i thotë pse nuk qeshe. Disa i përdor për sekretar, disa për ti sjellë kompjuterin. Kjo është qeveria që do të na udhëheqë ne. Ti Blush (I drejtohet deputetit të PS-së, Ben Blushi), mos u mërzit që nuk u bëre ministër, se nuk do ti bëje dot këto detyra të vështira.
Atë ditë ky zotëria bëri fyerje në vend të programit. Dje u revoltua që nuk ne nuk bëmë pyetje, por ne nuk mund të bënim pyetje pasi ai që na u paraqit nuk ishte program. Ai pret që me këtë qeverisje të hyjë në histori. Ata që e njohin e dinë që Rama ka një kompleks të madh inferioriteti ndaj Berishës, por sado të rri në qeveri nuk do ti vi Berishës as deri tek mesi. Berisha e ka vënë firmën e tij në shumë dokumente të rëndësishme për Shqipërinë. Ti shumë shumë, do ta kesh firmën deri tek ndonjë pallat i Koços. Ti di vetëm të prishësh kioska dhe të ngresh pallate. Edhe në Vlorë gjoja i shqetësuar për bregdetin, ato që po prish, po i prish jo se të vjen keq për bregdetin por se duhet ti hapësh rrugën Kocove që të ndërtojnë kullat e tyre të betonit. Tha mirë dje kolegu im Astrit Patozi se ti edhe qeverinë e ke bërë me kate, se vetëm kështu di të bësh, ajo që nuk di është se sa është m2 i kësaj qeverie.
Ju thatë se nëse Rama përfundon si Papandreu kjo sepse Berisha i la një vend të shkatërruar. Prapë Berishës i ngelet faji. Ai është një alibi, por Rama di të dështonte edhe në kushte të tjera. Rama nuk mund ta luftoj krimin se është i lidhur në mënyrën më të keqe me të. Kjo për arsye se Krimi kontrrollon Ramën për interesat e tij. Nga nesër nuk fillon rrumpalla por rrampalla.” u shpreh Paloka.