Meta: Pas imunitetit të miratojmë reformat e tjera

Kreu i LSI-së Ilir Meta ka përshëndetur sot votimin e ligjit për kufizimin e imunitetit. Në një konferencë për shtyp, Meta ndërsa e ka cilësuar si të vonuar miratimin e ligjit theksoi se duhet të vijohet përpara edhe me hapa të tjerë për reformën parlamentare dhe ligjin për Gjykatën e Lartë.
"Miratimi i ligjit tregoi se kur ekziston vullneti çdo gjë mund të realizohet edhe pse me vonesë. Votimi i djeshëm i cili ishte një hap i kërkuar dhe i mirëpritur si nga qytetarët ashtu edhe partnerët ndërkombëtar. Ai nuk duhet të mbahet i pashoqërur në ditën e ardhshme me disa hapa të tjerë imediate, siç është reforma parlamentare, ligji për Gjykatën e Lartë dhe iniciativa të tjera që tregojnë qartë që ekziston vullneti për të plotësuar jo vetëm 12 prioritetet por edhe gjithë angazhimet e tjera që vijnë pas tyre” tha Meta.
Ai ka theksuar më tej se është e rëndësishme që të përshpejtohet për realizimin e kritereve të mbetura në mënyrë që vendi të marrë një vlerësim pozitiv nga Brukseli. “Theksojmë rëndësinë e kohës dhe ecurisë që do të maskimalizoj për vlerësimin sa më pozitiv të vendit për marrjen e statusit të vendit kandiat” shtoi Meta.
Gjithashtu Meta sqaroi edhe abstenimin e deputetëve të LSI-së të ligjit për lirimin e banesave të ish-pronarëve. “Abstenimi për ndryshimet që kanë të bëjnë me lirimin e banesave të ish-pronarëve, erdhi pas mosmarrjes parasysh të kërkesës sonë për të vijuar dialogun në mënyrë që jo vetëm të jepet një zgjidhje për kthimin e pronave për ish-pronarët por edhe për të evituar një diskriminim ndaj të gjitha atyre qytetarëve që për faj të sistemit të kaluar dhe paftësinë për ti dhënë një zgjidhje mund të dalin në rrugë të madhe. Në këtë kushte kur e pamë të pamundur që mund të jepej më shumë kohë menduam që ai ishte qëndrimi më normal” tha Meta.
Kreu i LSI-së Meta gjithashtu i është përgjigjur edhe pyetjes së gazetarëve për konsolidimin e KQZ-së duke shtuar se rikonfigurimi i këtij institucioni duhet ta bëjë atë sa më të pavarur në mënyrë që të justifikoj iniciativën e ndryshimit dhe të shtojë garancitë për zgjedhjet e ardhshme.