Meta: Po synohet shkatërrimi i opozitës së vërtetë

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh sot se po synohet tjetërsimi i vullnetit politik të shqiptarëve dhe shkatërrimi i opozitës së vërtet.
Në një intervistë televizive nga ambientet e burgut 313 ndërsa është në hetim nga SPAK për tre vepra penale, Meta u shpreh se “edhe arrestimi i Berishës si lider i PD edhe rrëmbimi im politik janë pjesë e një skenari të vetëm, atij të tjetërsimit të vullnetit politik të shqiptarëve dhe shkatërrimit të opozitës së vërtetë, për të garantuar pandëshkueshmërinë e qeverisë më të korruptuar në kontinent”.
“SPAK është një kobure në duart e regjimit i cili është i pashpresë”, tha Meta.
I pyetur për akuzat që rëndojnë ndaj tij, Meta tha se nuk ka asnjë akuzë zyrtare të ngritur ndaj tij.
“Çdo gjë bazohet vetëm në hamendësime dhe në deklarata dhe kallëzime të personave të inkriminuar dhe me probleme me drejtësinë. Po jua përsëris që nuk kanë asnjë akuzë, asnjë provë apo fakt penal kundër meje, prezumohem i pafajshëm dhe në këto kushte dënimi ekziston vetëm në mendjet perverse të atyre që e ideuan dhe ekzekutuan këtë plan rrëmbimi politik për të përjetësuar Shqipërinë si koloni të Sorosit dhe mafias ndërkombëtare”, tha ai.
I pyetur mbi qëndrimin e ashpër ndaj ish-bashkëshortes, Monika Kryemadhi, Meta tha se “qëndrimet e mia për çështje parimore janë të prera dhe pa kompromis”.
“Lidhur me përgjegjësitë ligjore ato janë individuale dhe jo kolektive apo të transferueshme. Qëndrimet e saj mediatike dhe ligjore janë pjesë e konceptit të mbrojtjes së saj për mbrojtjen dhe nuk më shërbejnë aspak mua. Ajo që më shërben dhe më duhet mua është e vërteta dhe ajo është me mua”, shtoi ai. /m.m/j.p/