E Martë, 3 Nëntor 2026

Meta: Rama nuk ndryshoi aspak filozofinë grabitëse të qeverisjes

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për shtyp ka komentuar ndryshimet në qeveri. Sipas tij, këto ndryshime janë retushime të qeverisë.

Meta tha se, Rama ekzekutoi përfundimisht Partinë Socialiste, duke zëvendësuar tre kukulla politike me tre kukulla anonime.

“Edi Rama nuk ndryshoi aspak filozofinë grabitëse të qeverisjes, jo vetëm në dëm të interesave të qytetarëve por edhe të cenimit flagrant të interesave kombëtare”, theksoi ai.

Sipas tij, lëvizjet e befta në tre ministritë më të rëndësishme, të Financave, të Brendshme dhe të Mbrojtjes, nuk sjellin asnjë risi, as ulje taksash, as rritje pagash dhe pensionesh, as hapje të vendeve të reja të punës, as më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, as dhënien fund të korrupsionit, as luftë kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, as forcimit të rendit dhe sigurisë publike.

Sipas Metës, pa u larguar Edi Rama nuk ka asnjë shpresë se ndryshimet në qeveri do të sjellin një impakt pozitiv.

I pyetur për ndryshimet në kodin zgjedhor dhe nëse kanë ardhur, si shkak i një konsensusi të mundshëm midis Kryeministrit Edi Rama, dhe kryetarit të PD, Sali Berisha, Meta tha se, “besoj se zoti Berisha e ka bërë shumë të qartë pozicionin e tij, dhe ky është dhe pozicioni im. Nuk ekziston asnjë lloj reforme zgjedhore. Nuk ekziston, asnjë adresim i rekomandimeve serioze të OSBE-ODHIR. për zgjedhjet e fundit, përkundrazi”.

/rtsh.al/ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›