Meta: Raporti i DASH, kambanë alarmi për Shqipërinë

Tiranë, 17 qershor NOA LSI denoncon shpërdorimin, që Kryeministri Sali Berisha i ka bërë anëtarësimit në NATO, për qëllime të ngushta elektorale dhe cënimit të imazhit të Shqipërisë tashmë si një vend anëtar i NATO.
Në konferencën e sotme për shtyp, kreu i LSI, Ilir Meta ka folur në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe për Raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke e konsideruar atë si shqetësues.
Sipas këtij raporti, vlerësohet se Shqipëria është rikthyer në një vendburimi për trafikimin e burrave, të grave dhe të fëmijëve dhe se Qeveria e Shqipërisë nuk i plotëson standardet minimale për eliminimin e trafikut.
Është vërtet për tu shqetësuar për këtë pamje dhe imazh që Qeveria e Sali Berishës po i jep botës në përgjithësi dhe sidomos aleatëve tanë më të fuqishëm që na mbështetën në mënyrë të jashtëzakonshme për tu bërë vend anëtar i NATO-s, - deklaroi Meta.
Sipas tij, rikthimi i vlerësimeve të tilla për vendin tonë edhe pas anëtarësimit në aleancën më të madhe të lirisë, në NATO, tregon qartë se Qeveria e Sali Berishës nuk e mori anëtarësimin në NATO si një nxitje për të arritur standardet, të cilat nuk u plotësuan. Meta tha se Berisha po e përdor futjen në NATO vetëm për fushatë elektorale, për llogari të ngushta partiake, ndërkohë dhe ato pak standarde që ishin përmirësuar tashmë kanë marrë të tatëpjetën.
Ndaj LSI, - vijoi Meta, - denoncon shpërdorimin, që Kryeministri Sali Berisha i ka bërë anëtarësimit në NATO, për qëllime të ngushta elektorale dhe cënimit të imazhit të Shqipërisë tashmë si një vend anëtar i NATO-s, që ka probleme të tilla që janë tërësisht të patolerueshme.
e.l/NOA