E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta Roli i gruas jetik per shoqerine

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka mbajtur një fjalim në konventën e gruas të organizuar nga kjo parti, ku ka vlerësuar rolin e saj në shoqërinë civile dhe në politikë.

“Në themel të forcës sonë politike qendron energjia pozitive. Për të ecur përpara Shqipëria nuk ka nevojë për politikanë që shtojnë pengesat, por për dashurinë e grave”, ka deklaruar Meta.

Kreu i LSI ka folur edhe për shoqërinë shqiptare në tërësi, e cila sipas tij u tregua e barabartë më shoqëritë e vendeve evropiane kur u hoqën vizat.

“Dikush ishte i shqetësuar se po të hiqeshin vizat, disa qindra mijëra shqiptarë do të kërkonin azil politik në vendet e BE-së. E thoshin këtë sepse donin të ndëshkonin shqiptarët në mënyrë të padrejtë. Por, pas më shumë se një viti, shqiptarët treguan se janë qytetarë të denjë evropianë, për të përmbushur të gjitha detyrimet”, ka thënë Meta.

E njëjta gjë sipas tij thuhej edhe për statusin e kandidatit. “Shqipëria duhet ta kishte marrë statusin e kandidatit, por pengesë ka qenë politika. Një politikë e papërgjegjshme që përpiqet të gjejë pretekste për të penguar diçka që ka të bëjë me një aspiratë mbarëkombëtare”, është shprehur Meta.

“Duhet një klimë më pozitive për të ndërtuar një të ardhme edhe më të sigurtë e më të lumtur për të gjithë shqiptarët”, ka vijuar kryetari i LSI-së.

Më tej Meta ka shprehur mirënjohjen e tij për studentët e dhjetorit, por edhe për të gjitha gratë e vajzat e Shqipërisë që mbështetën ndryshimet demokratike.

“Ne jemi këtu për të treguar vendosmërinë tonë, në Shqipëri dhe në Evropë, që pozita e gruas të fuqizohet nga pikëpamja ekonomike-sociale, në institucione dhe në jetën politike e shoqërore të vendit”, ka shtuar Meta.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›