E Enjte, 5 Nëntor 2026

Meta: Shtrenjtim me 15 % i çmimit të bukës nga 1 nëntori

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se qeveria është tallur me pensionistët duke ju indeksuar me 4.1 % pensionet, ndërsa nga 1 nëntori do t’u shtrenjtojë bukën me 15 %.

“Nga 1 nëntori pensionistët e të gjitha kategorive dhe jo vetëm, do të paguajnë 15% më shtrenjtë çmimin e bukës për shkak të shtrenjtimit po aq të çmimit të energjisë elektrike për furrat e bukës në orët e pikut të prodhimit”, u shpreh ai në një postim në rrjetet sociale.

Ndaj, shton ai, dhe indeksimi i pensioneve në masën 4.1%, ose 25 lekë/ditë, nuk është gjë tjetër veçse poshtërimi më i madh që ai u bën pensionistëve.

“Ne në qeverisje do të bëjmë të mundur indeksimin e plotë të masës së pensioneve duke e llogaritur indeksimin mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë, indeksimin e shpeshtë brenda vitit të masës së pensioneve në rastet e krizave apo pandemive për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve si dhe rritjen e pensioneve me nivelin e rritjes reale ekonomike për ta bërë rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse”, deklaroi Meta.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›