E Hënë, 2 Nëntor 2026

Meta: Shtyhen sërish afatet e hetimeve ndaj meje. Do i drejtohem Kushtetueses e Strasburgut

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka deklaruar se ditën e sotme do duhet të mbylleshin hetimet ndaj tij, por sikurse thekson ai, janë shtyrë sërish.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, teksa ndodhet në në qeli, Meta paralajmëron se arrestimi i tij, u krye pa asnjë fakt dhe provë. Presidenti i PL-së shprehet se në të gjithë veprimtarinë hetimore 6-vjeçare të SPAK për aktivitetin e tij publik 32-vjeçar, nuk është gjetur asnjë pasuri e paligjshme.

Meta paralajmëron se brenda kësaj jave do i drejtohet Gjykatës Kushtetuese e më pas do të procedohet drejt Strasburgut.

“Partia e Lirisë nga kjo përballje me Narkoregjimin do të dalë shumë herë më e fortë sepse kauzat tona janë të pathyeshme dhe Ilir Meta do të jetë gjithmonë besnik i 2 Marsit deri në rikthimin e plotë të sovranitetit të popullit shqiptar, që u përdhos aq rëndë edhe me farsën e 11 Majit, për të cilën jo pak ndihmë dha edhe Task-Force imagjinare e SPAK-ut.

Brenda javës ezaurojmë Gjykatën Kushtetuese dhe ecim me shpejtësi drejt Strasburgut”, shkruan Meta në rrjetin social Facebook.

Presidenti i PL-së paralajmëron se pluralizmi politik në Shqipëri do të rivendoset dhe do të jetë plotësisht funksional dhe, shton ai, “bashkë me të edhe LLOGARIDHËNIA për Kryemercenarin e Shqipërisë dhe të gjithë mercenarët e tij që shkelin ligjin dhe Kushtetutën”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›