Meta akuzon qeverinë për aferë korruptive: KESH tender me çmim të fiksuar të blerjes 270 Euro/MWh

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta akuzon qeverinë për një aferë korruptive në sektorin e energjisë elektrike.
Ne nje deklarate per mediat, Meta tha se në dokumentet e tenderit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, çmimi i fiksuar i blerjes është 270 euro për megavat ndërsa në bursë është 147 euro për megavat.
“Në dokumentat e Tenderit, çmimi i fiksuar i blerjes është 270 Euro për MegaVat. Ndërkohë, që në bursë sot çmimi është 147 Euro/Megavat.
Pra, diferencat janë kolosale, sikurse kuptohet qartë se dhe vjedhja që planifikohet është kolosale. Qeveria ka deklaruar publikisht përmes Zëvendës Kryeministres, që deri në fund të Marsit, do të jetë në operim Bursa e Energjisë.
Bëma më e fundit përmes Koorporatës Energjetike Shqiptare është pikërisht një aferë e pandodhur asgjëkundi tjetër përmes hapjes së tenderit për blerje energjie për 3-5 vjet. Kjo aferë e këtyre përmasave kolosale planifikon një vjedhje të përbindshme përsëri në një ndër sektorët më të abuzuar nga Rilindja atë të energjisë elektrike” tha Meta sot nga selia e LSI-së.
Meta zbardh dhe skemën.
“KESH do të jetë duke shitur energji me 50 Euro/Megavati, e nga ana tjetër po KESH, për shkak të këtij tenderi korruptiv me çmim të fiksuar 3-5 vjet, do vazhdojë ta blejë me 270 Euro Megavati. Pra, do të shkarkojnë ujin pa prodhim energjie, vetëm e vetëm që kontrata korruptive të vazhdojë. Përse duhet kjo kontratë korruptive kur energjia fare mirë mund t’u blihet nga prodhuesit shqiptarë, të cilëve u është vënë edhe taksë e jashtëzakonshme.
Që çdo shqiptar të kuptojë sa e korruptuar është kjo qeveri mjafton një fakt i thjeshtë: Këta bëjnë tender me çmim të fiksuar 270 Euro/Megavati, kur vetë Bashkimi Europian, ka caktuar një çmim tavan 180 Euro/Megavati për deri në fund të vitit 2024.”
Kreu i PL-së thotë se 14 maji është një ditë shumë e rëndësishme dhe vota duhet të jetë ndëshkim për qeverisjen.
/rtsh.al/