E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Qipro, mendime të kundërta për Kosovën

Dy zyrtarët e lartë diskutuan mbi çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe intensifikimit të tij në fusha me interes reciprok.

Në këtë kontekst, Ministri i Jashtëm qipriot shprehu gatishmërinë për të venë në dispozicion mbi 100 bursa në vit për studentët shqiptarë, një pjesë e të cilave do të jenë në degën e administrim hotelerisë.

Lidhur me ecurinë e integrimit evropian të Shqipërisë, Ministri i Jashtëm qipriot rikonfirmoi mbështetjen aktive të vendit të tij dhe shprehu vullnetin për t’i ofruar palës sonë asistencë teknike në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Në këtë kuadër, për të nxitur më tej dialogun dhe shkëmbimet institucionale mes dy MPJ-ve, bashkëbiseduesit ranë dakord për nënshkrimin e një protokolli të veçantë, me synim institucionalizimin e bashkëpunimit diplomatik, realizimin periodik të konsultimeve politike mes dy Ministrive të Jashtme etj. Ata theksuan dhe ranë dakord për intensifikimin e këtij bashkëpunimi edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare, mbështetjes reciproke të kandidaturave në to etj.

Zëvendëskryeministri Meta dhe Ministri Kyprianou, u ndalën dhe diskutuan për situatën dhe zhvillimet e fundit në rajon, veçanërisht realitetin e ri të krijuar pas shpalljes së opinionit të GJND-së mbi pavarësinë e Kosovës. Lidhur me statusin e Kosovës, palët ndanë mendime të kundërta, por shprehën të njëjtin qëndrim se e ardhmja e Kosovës është evropiane dhe integrimi i saj dhe gjithë rajonit në BE, është një prioritet i pazëvendësueshëm.

Ministri Kyprianou garantoi se vendi i tij do të ketë një politikë konstruktive ndaj kësaj çështje.Në përfundim të bisedimeve Zëvendëskryeministri Meta dhe Ministri Kyprianou nënshkruan Marrëveshjen midis dy vendeve për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›