Meta tryezë kundër dhunës ndaj grave: Institucionet dështuan, politika më të mira për parandalimin

Partia e Lirisë ka zhvilluar një tryezë kundër dhunës ndaj grave në vendin tonë, ku shifrat e denoncimeve po rriten me ritme alarmante.
Kreu i partisë, Ilir Meta tha se vendi ka nevojë për politika më të mira dhe të forta për të mbrojtur jetën e grave dhe vajzave, ndërsa i bëri thirrje shoqërisë që të reagojë dhe të dalë nga plaga e dhunë ndaj grave.
“Dhuna ndaj grave e vajzave është edhe ndaj familjes e shoqërisë ndaj është e papranueshme dhe duhet ta dënojmë me gjithë forcën tonë e të bëjmë politika për parandalimin e saj. Të rrisim me këtë frymë të distancimit nga dhuna edhe fëmijët, t’i edukojmë në mënyrë demokratike, humane dhe qytetare. Të gjithë burrat si dhe të rinjtë duhet të bëjnë më shumë për të nxjerrë shoqërinë tonë nga plaga e dhunës ndaj grave e vajzave”, tha Meta.
Meta fajësoi institucionet se kanë dështuar në mbrojtjen e grave dhe dënimin e rasteve të dhunës, ndërsa tha se keqqeverisja po rrit rastet e dhunës në familje.
“Shifra alarmante tregojnë një dështim të institucioneve publike të kujdesit social. Në 10 vitet e qeverisjes aktuale shumë shqiptarë janë larguar si asnjëherë nga vendi. Logjika do donte që shifrat e viktimave të dhunës do zvogëlohej. Përsëri dhuna në familje vijon të rritet.
Keqqeverisja, varfëria, pamundësia, padrejtësitë sociale po rrisin dhunshëm familjen shqiptare. Dhuna është shtuar se dhe problemet ekonomike- sociale të familjeve shqiptare janë shtuar në mënyrë dramatike”, tha Meta.
Më fund Meta kërkoi integrimin e grave dhe vajzave në jetën shoqërore, qeverisjen vendore e në parlament që të forcojnë zërin e tyre.
“Do të angazhohemi në parlament dhe bashki që të mundësohet integrimi i grave dhe vajzave, viktima të dhunës në shoqëri. Unë besoj shumë tek angazhimi dhe propozimi sot dhe në të ardhmen”, tha Meta.
/rtsh.al/