“Michelin” përzgjedh 20 hotele në Shqipëri, Gonxhja: Promovim në tregun ndërkombëtar

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Njëzet hotele në Shqipëri janë përfshirë në përzgjedhjen e akomodimeve të guidës prestigjioze ndërkombëtare “Michelin Guide”, duke zgjeruar prezencën e destinacioneve shqiptare në një platformë të njohur për udhëtarët nga e gjithë bota.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se hotelet e përzgjedhura shtrihen në disa prej destinacioneve kryesore turistike të vendit, nga Tirana deri në zonat bregdetare të jugut, si dhe në qytetet me trashëgimi të pasur historike e kulturore.
“Ky është një tjetër standard i ri i arritur për turizmin shqiptar, një certifikim i cilësisë, elegancës, duke e vendosur Shqipërinë në hartën e elitës botërore të hotelerisë!”, u shpreh Gonxhja. Sipas ministrit, përfshirja në këtë përzgjedhje përbën një hap të rëndësishëm për promovimin e hotelerisë shqiptare dhe rritjen e dukshmërisë së saj në tregun ndërkombëtar.Lista përfshin struktura të ndryshme akomodimi, nga hotelet luksoze dhe resortet bregdetare, deri te hotelet boutique që ndërthurin arkitekturën tradicionale me elementet bashkëkohore.
Ndër hotelet e përfshira janë Tirana Marriott Hotel, Radisson Collection Morina Hotel Tirana, The Crown Boutique Hotel & SPA, Crowne Plaza Durrës by IHG, Hotel Epidamn Boutique & Spa, Maritim Marina Bay Resort SPA & Casino, Yacht Hotel, Green Coast – MGallery Collection, Miamar Luxury Hotel & Spa, Vista Boutique Hotel dhe Life Gallery Hotel.
Përzgjedhja përfshin gjithashtu struktura në Himarë, Dhërmi, Sarandë, Berat, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë, duke pasqyruar shtrirjen gjeografike dhe larminë e ofertës turistike shqiptare.
“Michelin Guide” është një nga emrat më të njohur ndërkombëtarisht në fushën e udhëtimeve dhe gastronomisë. Përveç përzgjedhjes së restoranteve, guida ka zgjeruar aktivitetin edhe në sektorin e akomodimit, duke u ofruar udhëtarëve mundësi për të zbuluar dhe rezervuar hotele në destinacione të ndryshme.
Përfshirja në platformën e hoteleve krijon mundësi shtesë promovimi për strukturat shqiptare, duke i bërë ato më të dukshme për turistët që planifikojnë udhëtimet e tyre përmes këtij kanali ndërkombëtar.
Promovimi ndërkombëtar i strukturave të akomodimit shihet si një mundësi për të rritur interesin e vizitorëve të huaj dhe për të forcuar pozicionin e Shqipërisë në tregun turistik, në një kohë kur vendi synon të zhvillojë një ofertë që ndërthur bregdetin, natyrën, trashëgiminë kulturore dhe mikpritjen.
/e.xh/r.e/