E Diel, 1 Nëntor 2026

Mijëra qytetarë në sheshin “Skënderbeu” kundërshtojnë vendimin e Hagës për ish-krerët e UÇK-së

Mijëra qytetarë janë mbledhur këtë të diel në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke zhvilluar natën e pestë të protestave kundër vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Protestat nisën më 16 shtator, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të cilët u dënuan për krime lufte.

Mijëra qytetarë janë mbledhur sërish në sheshin “Skënderbeu”, duke shpalosur një flamur të madh kombëtar me emblemen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke mbajtur pankarta me mbishkrimet “Jo në emrin tim”, “S’ka paqe pa drejtësi” dhe “Liria ka emër”.

Në mesin e protestuesve janë edhe familjarët e ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë djemtë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rrisë mbështetjen financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në proceset gjyqësore në Hagë.

“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të fuqizojë mbështetjen financiare për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së,” deklaroi ai para turmës.
Protestat, të cilat nisën menjëherë pas shpalljes së verdiktit, po vazhdojnë çdo natë në kryeqytet, duke shndërruar sheshin “Skënderbeu” në epiqendër të reagimit qytetar kundër vendimit të Speciales.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›