E Hënë, 2 Nëntor 2026

Miliona euro të transferuara nga Zvicra në Shqipëri përmes “Hawala”, GJKKO sekuestron pasuritë e Ervis Ferizajt dhe Përparim Kalbajt

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e Ervis Ferizajt dhe Përparim Kalbajt, të cilët akuzohen se pastronin paratë e trafikut të drogë përmes sistemit “Hawala” nga Zvicra në drejtim të Shqipërisë.

Nga hetimet e SPAK u zbulua se tre të arrestuarit Ervis Ferizaj, Burim Ferizaj dhe Përparim Kalbaj përdornin një skemë të transferimit të miliona eurove përmes sistemit informal financiar të njohur si “Hawala”, të parave që vinin si rezultat i trafikut të drogës dhe veprimtarisë së grupit kriminal. Sipas SPAK grupi ka transferuar miliona euro gjatë periudhës 2020-2025 duke fituar një komision prej 6% për çdo transaksion. Ky grup kriminal ka përdorur zyra këmbimi valutor, agjenci turistike dhe zyra të transferimit të parave për të maskuar aktivitetet e tij kriminale, duke e bërë shumë të vështirë për hetuesit të gjurmojnë transferimet dhe burimin e parave..

Për ketë GJKKO vendosi sekuestro preventive për një sërë pasurish të dyshuara si të përfituara nga veprimtari kriminale.

Pasuritë e sekuestruara ndaj Ervis Ferizajt:

Shoqëria tregtare “Ferizaj-78” sh.p.k, me seli në rrugën “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, së bashku me të gjitha asetet e saj.

Njësi tregtare me sipërfaqe 161.67 m², e blerë në janar 2017 për 200,000 euro.

Një vilë dy-katëshe në zonën e Lalëzit, Durrës, me sipërfaqe ndërtimi 140 m², e blerë në dhjetor 2019 për 80,000 euro.

Shumë monetare prej 77,160 frangash zvicerane.

Pasuritë e sekuestruara ndaj Përparim Kalbajt:

Shoqëria tregtare “Kalbaj” sh.p.k, përfshirë të gjitha pasuritë e saj të luajtshme dhe të paluajtshme.

Gjatë kontrolleve në ambientet e kompanisë “Ferizaj-78” dhe banesave të të hetuarve, janë gjetur dhe sekuestruar edhe shuma të tjera parash me vlerë totale rreth 68 milionë lekë, që dyshohen të jenë produkte të veprës penale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›