Milo: Greqia mund ta bllokojë Shqipërinë sepse ka të drejtën e vetos

Greqia ka kërcënuar qartazi që në momentet e para se do të pengojë rrugëtimin e Shqipërisë për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE prej çështjes së Fredi Belerit, ndërsa ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo theksoi në “3D” se shteti fqinj mund ta bëjë këtë sepse ka të drejtën e vetos.
Milo sqaroi edhe procedurën e marrjes së vendimeve ndërinstitucionale në BE, teksa tha se liderët e shteteve nuk diskutojnë për gjëra konkrete dhe se materialet i shkojnë të përgatitura nga ministrat e jashtëm.
Ish-ministri theksoi se janë këta të fundit që në fakt marrin vendime në lidhje me këto çështje dhe se liderët mund t’i ndryshojnë ato vetëm në raste shumë të rralla.
“Procedura e marrjes së vendimeve ndërinstitucionale në BE, është e vërtetë që liderët nuk kanë kohë të diskutojnë gjërat konkrete dhe ndaj i parapërgatisin ministrat e jashtëm dhe ambasadorët dhe liderëve ua çojnë. Në momentin që i shkon në tavolinë një material liderëve, e kanë marrë në analizë dhe e kanë vendosur ministrat e tyre të jashtëm, vështirë se mund të ndryshojnë ata ndonjë gjë. Vetëm në raste shumë të rralla mund të ndodhë kjo.
Nuk bënë gjë liderët këtë herë sepse nuk kishin një material të parapërgatitur sepse nuk ranë dakord. Ambasadorët që diskutojnë në Këshillin e Ambasadorëve, që është niveli i parë i analizës dhe dakordësisë, në momenti që ngec diçka aty mes ambasadorëve dhe nuk bien dakord, vjen niveli i dytë, Ministrat e Jashtëm të cilët sheshojnë mosmarrëveshjet që lindin te ambasadorët. Në rast se ministrat e jashtëm lënë ndonjë çështje që nuk merren vesh, atëherë janë kryetarët e shteteve dhe qeverive që kanë atributet për të sheshuar këtë gjë. Por rrallë ndodh kjo, zakonisht filtri i dytë janë ministrat e jashtëm, ata çojnë produktin e gatshëm dhe liderët bëjnë deklaratën. Greqia e bllokon edhe pa asnjë gjë, ka të drejtën e vetos”, u shpreh Milo.
/rtsh.al/