E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët: Të hënën rinisim grevën e urisë

Nga protesta e minatorëve të Bulqizës

BULQIZE – Këshilli sindikal i minatorëve, nën drejtimin e kryetarit Dilaver Përkoxha dhe në prani të presidentit të Konfederatës së Industrisë, Taf Koleci, vendos rinisjen e grevës së urisë të hënën. Sipas Kolecit, të premten minatorët do të protestojnë para zyrave të ACR-së në Bulqizë për të pritur të hënën për zhvillimet e reja. Në fundjavë minatorët nuk do të ftohen në protesta, ndërkohë që jemi në pritje të një përgjigjeje pozitive nga kompania ACR, tha Koleci. Sipas tij, këshilli sindikal është i vendosur të vijojë ndërprerjen e punës në minierë, derisa ACR të plotësojë të gjitha kërkesat e bëra publike. Nëse deri në hënën në mesditë minatorët nuk do të marrin një përgjigje, ata do të nisin grevën e urisë. Numri i pjesëmarrësve dhe vendi i zhvillimit të saj nuk janë përcaktuar ende, tha Koleci për Panoramën. Sipas tij, ACR ka më shumë se një javë që i ka ndalur urat e bashkëpunimit me minatorët dhe sindikatën e tyre. Ai tha se minatorët janë të gatshëm të dialogojnë, ndërsa firma e huaj vazhdon të heshtë. Kemi vendosur që fëmijët të mos jenë më gjatë në protestat e minatorëve. Shumica e tyre janë kthyer në bankat e shkollës, por disa kanë siguruar libra të vjetër dhe të tjerë nuk kanë libra fare, deklaroi Koleci. Nga ana e saj, kompania ACR, nëpërmjet një deklarate për shtyp shpërndarë ditën e djeshme, kërkoi sërish nga minatorët që të kthehen në punë. ACR u kujton minatorëve që një gjë të tillë ai e ka bërë edhe më parë; sa herë kompania plotëson kërkesat e minatorëve, ka dalë me kërkesa të reja e gjithmonë e më absurde. Duket qartë që qëllimi i Kol Nikollës nuk është për të mbrojtur interesat e minatorëve, por thjeshtë për të plotësuar planin e tij duke i mbajtur përherë minatorët pa punë, jashtë minierës, pohohet nga përfaqësuesit austriakë.    h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›