E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Demo me Kryeministrin Rama në Uashington, marrin pjesë në mbledhjen e Bordit të Paqes

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo ka bërë me dije se ndodhet me kryeministrin Edi Rama në Uashington për të marrë pjesë në mbledhjen e Bordit të Paqes.

Teksa ka publikuar në rrjetin social Facebook pamje me kryeministrin gjatë rrugës për në mbledhje, Demo shpreh krenarinë për vendin tonë që angazhohet për t’u bërë pjesë e Kryesisë së Bordit të Paqes, nismë e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump

“Krenar për Shqipërinë. Rrugës për në mbledhjen e Bordit të Paqes”, shkruan Demo.

Kryeministri Edi Rama firmos sot në Uashington angazhimin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Kryesisë së Bordit të Paqes, nismë e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Nga “Instituti i Paqes Donald Trump” në Uashington, presidenti amerikan pritet të mbajë një adresim të posaçëm rreth orës 16:00 (ora lokale në Shqipëri). Gjithashtu, në kuadër të këtij formati të ri ndërkombëtar, do të mbajë fjalën e tij edhe kryeministri Rama.

Shqipëria i bashkohet zyrtarisht Kryesisë së Bordit të Paqes, një nismë e Presidentit Trump që synon angazhimin ndërkombëtar për rimëkëmbjen e Gazës. Kryeministri Rama firmos këtë të enjte, më 19 shkurt 2026, angazhimin e ri ndërkombëtar të Shqipërisë, ndërsa pritet të mbajë edhe një fjalim gjatë punimeve të takimit të parë të Bordit, i cili zhvillohet në “Institutin e Paqes Donald Trump” në Uashington.

Shqipëria është anëtare e Kryesisë së Bordit, që do të drejtohet nga vetë Presidenti i SHBA-së për një periudhë 3-vjeçare. Shqipëria pranoi ftesën e Presidentit Trump për t’u përfshirë në këtë nismë të re ndërkombëtare dhe Parlamenti e ratifikoi pjesëmarrjen më 22 janar 2026, për një periudhë 3-vjeçare, pa angazhim financiar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›