E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Karakaçi në Ministerialin e Malit të Zi: Shqipëria kampion në energjinë e rinovueshme

Ministri i Energjisë, Enea Karakaçi, ka marrë pjesë sot në Ministerialin e Energjisë të mbajtur në Mal të Zi, në kuadër të procesit të Berlinit dhe përpjekjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor për përafrim me Bashkimin Europian.

Në fjalën e tij, Karakaçi theksoi se forumi ishte një mundësi e shkëlqyer për bashkëbisedim mes institucioneve financiare ndërkombëtare, ministrave të energjisë dhe aktorëve privatë që synojnë të investojnë në rajon.

 Ai rikujtoi se Shqipëria ka ndërmarrë politika të forta mbështetëse për energjinë e rinovueshme, duke u shndërruar në kampion të rajonit.

“Shqipëria vazhdon të jetë kampion në energjinë e rinovueshme nëpërmjet skemave mbështetëse të ankandeve, por edhe investimeve private që tashmë kanë marrë jetë, si në rastin e energjisë fotovoltaike, të realizuara pa mbështetje qeveritare,” u shpreh ministri.

Një nga çështjet kryesore të diskutuara në ministerial ishte taksa e re e karbonit e vendosur nga Bashkimi Europian, e cila parashikon që çdo prodhim energjie elektrike jo-rinovueshme në rajon të taksohet shtesë. Karakaçi e cilësoi këtë si një mundësi për Shqipërinë, duke qenë se vendi ka një bazë të fortë në energjinë e pastër.

“Kjo politikë e Bashkimit Europian gjen Shqipërinë shumë të përgatitur dhe madje në një proces më konkurrues me të gjitha vendet e tjera,” shtoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›