E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Malaj: 205 mld lekë të ardhura në 3 muajt e parë të vitit, monitorojmë çmimet e naftës

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka paraqitur bilancin e tre muajve të parë të vitit, duke deklaruar se të ardhurat janë 110 milionë euro më të larta se plani i parashikuar. Sipas tij, kjo rritje nuk lidhet me rritje të taksave apo tatimeve, por me përmirësim të administrimit tatimor dhe doganor.

“Në këto 3 muaj, janë plot 205.1 miliard lekë të ardhura. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, 13.3% më shumë. Kemi 110 milion euro më shumë të ardhura se sa kishim planifikuar. Rritja nuk ka ardhur si rezultat i rritjes së taksave apo tatimeve, por një mirëadministrimi tatimor dhe doganor”, deklaroi ministri Malaj.

Ai shtoi se rritja ekonomike është ndikuar nga disa faktorë, përfshirë formalizimin e ekonomisë, konsumin e brendshëm dhe performancën e sektorit të shërbimeve dhe tregtisë.

“Janë disa faktorë që kanë ndikuar në rritjen ekonomike, formalizimi i ekonomisë, ka një xhiro të deklaruar më të drejtë, konsumi i brendshëm që mbetet i fortë, performancë të mirë të sektorit të shërbimit dhe tregtisë”, u shpreh Malaj.

I pyetur për rritjen e çmimeve të karburanteve, ministri tha se qeveria po e monitoron situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe po ndjek rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare për mbrojtjen e grupeve vulnerabël.

“Jemi duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën… me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që sugjerojnë që qeveria duhet të fokusohet te grupet vulnerabël sa herë marrim masa apo ndërhyjmë në treg”, deklaroi Malaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›