E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministri Vengu njofton shuarjen e zjarreve në 15 zona, ndërsa 6 vatra mbeten aktive

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi të shtunën në mbrëmje se falë koordinimit të gjerë të forcave të Mbrojtjes Civile, Forcave të Armatosura dhe zjarrfikësve, është bërë e mundur shuarja dhe izolimi i zjarreve në 15 zona të ndryshme të vendit. Në këto operacione është ofruar gjithashtu mbështetje nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile.

Sipas ministrit, vatrat e fikura përfshijnë zona si Lleshan në Gramsh, Turan në Korçë, Kakavijë në Dropull dhe Ril në Lezhë, si dhe disa zona në Vlorë, Durrës, Krujë, Kamëz dhe Himarë.

Megjithatë, Vengu theksoi se disa vatra mbeten problematike dhe forcat janë duke punuar për t’i izoluar ato.

Situata më e rëndë raportohet në Velahovë dhe Dhrovjan (Finiq), ku përpjekjet janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, me mbështetjen e Forcave Ajrore. Edhe në Bolenë (Himarë) dhe Lofkënd (Mallakastër) situata është problematike, ndërsa në Tragjas (Vlorë) një vatër e shuar është riaktivizuar.

Vengu bëri me dije se vatra në Malaj i Epërm (Mirditë) është fikur me ndërhyrjen e një avioni italian “Canadair”, ndërsa në Mali i Allushit (Klos) terreni i vështirë ka shkaktuar riaktivizim të flakëve.

Në fund të njoftimit, ministri shprehu falënderim për të gjithë efektivët e zjarrfikëses, policisë, ushtrisë dhe vullnetarëve, duke i cilësuar si “në vijën e parë të mbrojtjes së vendit nga flakët”.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Kronika

    Të gjitha ›