E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministri britanik i Mbrojtjes: Operacion në Ngushticën e Hormuzit për pastrimin e minave

Britania e Madhe njoftoi se do të kontribuojë me pajisje autonome për gjetjen e minave, avionëve luftarakë Typhoon dhe luftanijen HMS Dragon në një mision ndërkombëtar mbrojtës që synon të sigurojë lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.

Ministri i Mbrojtjes, John Healey, e bëri këtë njoftim gjatë një samiti virtual me më shumë se 40 homologë të tij nga vendet e tjera pjesëmarrëse.

Ai tha se misioni do të bëhet operacional sapo të plotësohen kushtet e nevojshme.

“Me aleatët tanë, ky mision ndërkombëtar do të jetë mbrojtës, i pavarur dhe i besueshëm”, tha ai në një deklaratë.

Lufta me Iranin ka ulur ndjeshëm trafikun nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke prishur eksportet e naftës dhe duke çuar në rritje të çmimeve të energjisë. Rreth një e pesta e naftës së botës kalon nëpër këtë ngushticë.

Kontributi britanik do të mbështetet me 115 milionë paund (155.53 milionë dollarë) fonde të reja për drone gjuajtës minash dhe sisteme kundër droneve.

Londra synon të sigurojë kompanitë tregtare për angazhimin e saj në mbrojtjen e lirisë së navigacionit në mes të tensioneve të rritura rajonale.

Paketa përfshin sisteme autonome për zbulimin dhe pastrimin e minave detare, anije të shpejta drone, avionë Typhoon për patrullime ajrore dhe luftanijen HMS Dragon, e cila tashmë është nisur drejt Lindjes së Mesme.

Britania ka tashmë më shumë se 1,000 personel të dislokuar në rajon si pjesë e operacioneve ekzistuese mbrojtëse, duke përfshirë skuadra kundër droneve dhe skuadrila avionësh të shpejtë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›