Ministri i Brendshëm Lamallari për zjarret në Vlorë: Prioriteti ynë mbetet mbrojtja e jetës, banesave dhe natyrës, mirënjohje zjarrfikësve dhe banorëve për angazhimin

Ekipet e shërbimit zjarrfikës kanë arritur të vënë nën kontroll flakët e përmasave të mëdha që përfshinë pasditen e sotme Pyllin e Sodës në Vlorë. Pavarësisht lokalizimit të vatrës kryesore, strukturat përgjegjëse po vijojnë praninë në terren për të monitoruar situatën dhe për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm të zjarrit.
Situata emergjente në bregdetin e Vlorës u ndoq nga afër nga autoritetet qendrore. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, konfirmoi se po mbahet një kontakt i vazhdueshëm me të gjitha trupat e angazhuara në operacionin e shpëtimit.
“Orë të vështira në Vlorë për shkak të vatrave të zjarrit në Pyllin e Sodës dhe në disa zona të tjera. Ndjekim në çdo çast situatën në koordinim me të gjitha strukturat në terren që po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve,” u shpreh Ministri Lamallari nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Ndërhyrja për shuarjen e flakëve kërkoi një përpjekje të përbashkët mes forcave të rendit, emergjencave civile dhe komunitetit lokal. Ministri i Brendshëm shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që u angazhuan drejtpërdrejt në përballimin e kësaj sfide mjedisore.
“Falënderoj çdo punonjës që po përballet me këtë situatë të vështirë me profesionalizëm dhe përkushtim. Mirënjohje gjithashtu strukturave lokale dhe banorëve vendas për angazhimin. Prioriteti ynë mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, e banesave dhe e pasurisë natyrore,” deklaroi ai.
Strukturat e shërbimit zjarrfikës dhe emergjencave do të vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri të lartë në Pyllin e Sodës deri në normalizimin e plotë dhe të sigurt të situatës.
/rtsh.al/