E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministri i Çështjeve Strategjike të Izraelit takohet me Trump

Ministri i Çështjeve Strategjike të Izraelit, Ron Dermer, u takua me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump në Mar-a-Lago të dielën, njoftoi uebfaqja e lajmeve Axios të hënën, duke cituar dy zyrtarë izraelitë dhe dy amerikanë.

Dermer, një bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe një ish-ambasador në Uashington, u takua me presidentin e zgjedhur të SHBA-së në prag të takimit të tij me Sekretarin e Shtetit në largim, Anthony Blinken.

Sipas raportit, Dermer i përcolli mesazhet nga Netanyahu republikanit dhe e informoi atë për planet e Izraelit për Rripin e Gazës, Libanin dhe Iranin në dy muajt e ardhshëm, derisa Trump të marrë presidencën.

Gjithashtu, ministri izraelit pati një takim me Jared Kushner, dhëndrin e Trump.

Netanyahu tha të dielën se ai kishte folur me Trump tre herë në ditët e fundit si pjesë e forcimit të aleancës së dy vendeve pasi ky i fundit merr detyrën si president më 20 janar 2025.

Çdo shpresë për një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës u duk se u zbeh pas vendimit të Emiratit të Katarit për t’i dhënë fund rolit të tij ndërmjetësues.

Qeveria izraelite dërgoi dje mesazhe kontradiktore për një armëpushim të mundshëm në Liban, ku ministri i Jashtëm Gideon Sha’ar foli për “progres” por ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, e përjashtoi atë pa “kapitullim” nga Hezbollahu.

Analistët besojnë se aftësia e administratës së presidentit demokrat në largim Joe Biden për të nxitur marrëveshjet e armëpushimit në Rripin e Gazës dhe Liban pas fitores së zgjedhjeve të Donald Trump më 5 nëntor është eliminuar praktikisht./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›