E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi: Forcat e Armatosura në terren për izolimin e vatrave të zjarrit

Ushtria shqiptare vijon operacionet e kërkim-shpëtimit dhe shuarjes së flakëve në disa nga pikat më kritike të vendit, ku zjarret aktive po sfidojnë efektivët në terren. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, përmes një komunikimi në rrjetet sociale, ka dhënë detaje mbi operacionalizimin e mjeteve dhe trupave të Forcave të Armatosura gjatë orëve të fundit.

Në Malin e Dajtit, situata po monitorohet nga afër si nga toka, ashtu edhe nga ajri, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të vatrës.

“Në Dajt janë angazhuar 50 efektivë të Regjimentit të Operacioneve Speciale dhe 2 helikopterë. Vatrat janë nën kontroll dhe nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara,” bëri me dije ministri Nufi.

Ndërkohë, një tjetër front pune mbetet ai i Bulqizës, ku po operohet me 20 efektivë dhe 3 mjete motorike, duke garantuar gjithashtu se periferitë e banuara nuk kërcënohen nga flakët.

Përqendrimi më i madh i burimeve njerëzore dhe logjistike vazhdon të jetë në zonën e Lurës, ku terreni i thyer ka kërkuar ndërhyrje të kombinuar masive. “Lura mbetet një nga vatrat me angazhimin më të madh,” shkruan më tej Nufi, duke specifikuar mjetet e disnejuara në këtë zonë.

“Aty janë dislokuar 50 efektivë, 6 mjete, 1 zjarrfikëse dhe 2 avionë Air Tractor. Janë hapur korridore me fadroma, duke ndaluar avancimin e zjarrit drejt banesave. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.”, shkruan ai.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, koordinimi mes logjistikës tokësore dhe flotës ajrore po vijon pa ndërprerje në të gjitha pikat ku raportohen vatra aktive, me synim izolimin e plotë të tyre brenda një kohe sa më të shpejtë.

 /rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›