Ministri i Punëve Publike në Malin e Zi për RTSH-24, Dukaj: Presim të kemi 2 poste ministrore

Marash Dukaj, ministër i Punëve Publike në Malin e Zi, gjatë një interviste për RTSH- 24, ka bërë një panoramë të situatës politike në Mal të Zi pas zgjedhjeve, përpjekjeve për të ndërtuar qeverinë e re, si dhe përfaqësimin e shqiptarëve në kabinetin e ri qeveritar.
Sipas tij, shqiptarët pritet të marrin dy ministri dhe një zv/Kryeministër në kabinetin qeveritar të kandidatit për kryeministër që pritet të mandatohet këto ditë Milojko Spajiç, i cili do të zëvendësojë, Dritan Abazoviç në këtë post.
“Ideja jonë është që të formohet një qeveri e fortë dhe e qëndrueshme. Situata politike është prej kohësh e paqartë. Ndërkohë vijojnë negociatat për qeverinë e re të Malit të Zi. Në parlament do të kemi 4 deputetë shqiptarë dhe presim të kemi dy poste ministrore një prej të cilave dhe ky i Punëve Publike. Sfida më e madhe është vazhdimi i rrugëtimit të Malit të Zi në BE”- komentoi Dukaj, për RTSH-24.