Ministri izraelit hedh poshtë akuzat: Sulmi ndaj autokolonës së ndihmave në Gazë ishte i paqëllimshëm

Ministri i kabinetit izraelit ka hedhur poshtë pretendimet se forcat izraelite vranë me qëllim 7 anëtarët e ekipit të organizatës bamirëse në Gaza.
Nir Barkat i ka konsideruar si të pakuptimta deklaratat e themeluesit të WCK-së, Jose Andres se punonjësit e organizatës ishin vënë në shënjestër nga Izraeli.
Barkat deklaroi se vrasja e ekipit të WCK-së ishte një gabim i rëndë, ndërsa premtoi se çështja do të hetohet.
Barkat tha se Izraelit i vinte “tmerrësisht keq” për vrasjen e shtatë punonjësve të ndihmës, por se “për fat të keq, në luftëra ndodh zjarr miqësor”.
Ai tha se do të ndërmerren hapa për t’u siguruar që një incident i ngjashëm “të mos ndodhë më”, por që vdekjet e punonjësve të ndihmës dhe civilëve ishin “pjesë e luftës”.
“Me gjithë respektin e duhur, nuk ka asnjë mënyrë në botë që Izraeli të synojë njerëzit që vijnë për t’u dhënë njerëzve ndihmë,” tha ai.
Një prej makinave të WCK u godit ndërsa po dilte nga magazina Deir al-Balah, pasi ekipi kishte shpërndarë 100 ton ndihma ushqimore.
Kolona përbëhej nga tre automjete, dy prej të cilave ishin të blinduara dhe shfaqnin qartë logon e bamirësisë. Automjetet ishin rreth 2.5 km (1.5 milje) larg njëra-tjetrës dhe të treja u goditën gjatë sulmit.
Trupat e gjashtë prej punëtorëve të huaj të WCK janë dërguar në Egjipt për t’u riatdhesuar dhe kolegu i tyre 25-vjeçar palestinez u varros në qytetin e tij të lindjes në Rafah, Gaza jugore, të martën.
WCK njoftoi se kishte pezulluar operacionet të martën, duke vënë në dyshim ndihmën humanitare për Rripin e Gazës.
/rtsh.al/