E Martë, 3 Nëntor 2026

Ministri izraelit i Turizmit viziton Beratin: Na pret një e ardhme e shkëlqyer përpara

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo priti të martën në një takim ministrin e Turizmit të Izraelit, Haim Hatz, i cili ka përzgjedhur qytetin e “një mbi një dritareve” për vizitën e tij në Shqipëri, në kuadër të lidhjeve të ngushta të bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës së Izraelit dhe bashkisë Berat.

Në takim ministri Hatz shoqërohej nga ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Përzgjedhja e Beratit nuk ishte rastësore. Shifrat e turizmit, shërbimi cilësor, zhvillimi i qytetit 2500-vjeçar dhe përshtatja e vazhdueshme me fluksin turistik janë të gjitha domethënëse për këtë vizitë.

Gjatë takimit Demo tha se “ne kemi konsoliduar marrëdhënie shumë të shëndetshme, të cilat mirëpresim patjetër edhe në turistë që vijnë nga Izraeli”.

Ndërsa ministri i Turizmit të Izraelit tha se “Berati dhe Izraeli përmes bashkëpunimit, do të kenë një të ardhme të shkëlqyer përpara”.

Demo e shoqëroi ministrin në një vizitë në Muzeun “Solomon”, i cili i kushtohet historisë së hebrenjve në Shqipëri, si dhe në muzeun “Onufri” dhe kalanë e qytetit.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›