E Martë, 3 Nëntor 2026

Ministri kinez i mbrojtjes akuzon SHBA-në se ka shkaktuar fërkime me mbështetjen për Tajvanin dhe Filipinet

Ministri i Mbrojtjes i Kinës pranoi të dielën rëndësinë e rinovimit të komunikimit ushtarak me Shtetet e Bashkuara, ndërsa tensionet po përshkallëzohen në Azi-Paqësor. Por Kina, në të njëjtën kohë akuzoi Uashingtonin se ka shkaktuar fërkime me mbështetjen për Tajvani dhe Filipinet.

“Ne nuk do të lejojmë askënd të sjellë konflikte gjeopolitike apo ndonjë luftë, qoftë e nxehtë apo e ftohtë, në rajonin tonë”, tha ministri kinez i Mbrojtjes, Dong Jun në forumin e mbrojtjes Shangri-La në Singapor përmes një përkthyesi.

“Ne nuk do të lejojmë asnjë vend apo ndonjë forcë që të krijojë konflikt dhe kaos në rajonin tonë”, shtoi ai.

Kina ka qenë gjithnjë e më këmbëngulëse në nxitjen e pretendimit të saj për pothuajse të gjithë Detin e Kinës Jugore, një rrugë kyçe globale detare, e cila ka çuar në një numër në rritje konfliktesh, veçanërisht me Filipinet, anijet e të cilave janë përplasur nga anijet kineze dhe janë goditur me topat e ujit.

Dong këmbënguli se “kultura strategjike e Kinës është e ankoruar në dashurinë universale dhe jo-agresivitetin”, përpara se të kërcënonte Filipinet, të cilat me shpejtësi janë tani pro-amerikane që nga zgjedhja e Ferdinand Marcos Jr. në 2022.

Që kur armiqësitë territoriale me Kinën u rritën vitin e kaluar, administrata e udhëheqësit filipinas Marcos Jr. ka ndërmarrë hapa për të krijuar aleanca të reja sigurie me një numër vendesh aziatike dhe perëndimore. Ai gjithashtu ka lejuar një prani më të madhe ushtarake amerikane në vendin e tij sipas një pakti të vitit 2014 për mbrojtjen.

Ministri kinez akuzoi Filipinet për provokim të qëllimshëm të Kinës, “të inkurajuar nga fuqitë e jashtme”, duke përmendur vendosjen nga Shtetet e Bashkuara të sistemit të raketave me rreze të mesme veprimi në Filipine dhe mbështetjen afatgjatë për Manilës për një vendim arbitrazhi të vitit 2016 që mohon shumicën e pretendimeve të Pekinit në Detin e Kinës Jugore.

“E ashtuquajtura strategjia Indo-Paqësore e Shteteve të Bashkuara është plot retorikë. Nën flamurin e promovimit të bashkëpunimit rajonal, ajo në fakt mbështetet në mentalitetin e Luftës së Ftohtë. Qëllimi i vërtetë i kësaj të ashtuquajture strategjie është të integrojë qarqet e vogla në një rreth më të madh, një variant aziatik i NATO-s – duke ruajtur kështu hegjemoninë e SHBA-së”, tha Jing Jiangfeng, gjeneral i ushtrisë kineze.

Një tjetër çështje që ndikon tek marrëdhëniet e Perëndimit me Kinën është edhe agresioni rus në Ukrainë. Pekini thotë se mban qëndrim neutral ndaj këtij konflikti, por i ka mbështetur pretendimet e Moskës se Rusia e nisi sulmin ndaj Ukrainës pasi u provokua nga Perëndimi. Kina gjithashtu vazhdon të furnizojë industrinë ruse të prodhimit të armëve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili po merr pjesë në takimin në Singapor tha se ishte “i zhgënjyer” që disa udhëheqës botërorë nuk e kishin konfirmuar ende pjesëmarrjen në konferencën për paqen në Ukrainë që do të mbahet në Zvicër pas pothuajse dy javësh.

Ai nuk specifikoi asnjë vend me emër, por pjesëmarrja e mundshme e Kinës, aleati më i rëndësishëm i Rusisë, shihet si një çështje kyçe.

“Po, jemi të zhgënjyer që disa udhëheqës botërorë nuk e kanë konfirmuar ende pjesëmarrjen në takimin e nivelit të lartë të paqes. Fatkeqësisht, ka edhe përpjekje për ta dëmtuar atë takim. Ne nuk duam të besojmë se kjo është një dëshirë monopoliste në botë për t’i mohuar komunitetit global mundësinë për të vendosur për luftën dhe paqen dhe për ta lënë këtë pushtet në duart e një ose dy vendeve”, tha Presidenti Zelenskyy.

Shefi i mbrojtjes kineze, Dong Jun, nuk dukej të ishte i pranishëm gjatë fjalimit të Presidentit Zelenskyy.

Ministri Dong nuk përmendi në mënyrë specifike gjatë fjalimit të tij takimin që parashihet të mbahet në Zvicër, por tha se “për krizën e Ukrainës, Kina i ka nxitur bisedimet e paqes duke mbajtur një qëndrim të përgjegjshëm”.

Ai shtoi se Kina nuk i kishte ofruar armë asnjërës palë në konflikt. Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin ishte i pranishëm gjatë fjalimit të udhëheqësit ukrainas.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›