Ministri rus i mbrojtjes vizitë në Siri

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu ka vizituar Sirinë për bisedime me presidentin Bashar al-Assad, në mes të tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës.
Vizita e tij në Siri sipas burime nga Ministria e Mbrojtjes ruse, ka si qëllim inspektimin e një bazë ajrore ruse në vendin e shkatërruar nga lufta.
Gjatë një takimi në Damask, Shoigu “informoi presidentin sirian për stërvitjet e marinës ruse në Mesdheun lindor”, tha në një deklaratë ministria ruse e mbrojtjes. Të dy diskutuan “bashkëpunimin ushtarako-teknik si pjesë e luftës së përbashkët” kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ndihmën humanitare ruse për popullin e Sirisë “që vuajnë nga sanksionet ndaluese të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve perëndimore”.
Shoigu inspektoi gjithashtu bazën ajrore ruse Hmeimim në Sirinë perëndimore, thuhet në deklaratë. Nga deklarata nuk ishte e qartë se kur u zhvillua takimi.
Moska ka qenë një aleat kyç i regjimit të Asadit gjatë gjithë konfliktit sirian që shpërtheu në vitin 2011 me shtypjen e protestave antiqeveritare. Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në vitin 2015 ndihmoi të kthente valën e luftës në favor të Asadit dhe Moska mban bazat ushtarake në vend.
Mbështetja politike dhe ushtarake e Rusisë për Sirinë ka qenë një pikë e veçantë penguese në marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin, e cila ka vendosur sanksione ndaj Moskës për forcimin e regjimit të Asadit.
Tensionet midis Moskës dhe Perëndimit janë rritur së fundmi, me Perëndimin që akuzon Kremlinin për grumbullimin e trupave në kufirin e tij me Ukrainën përpara një pushtimi të mundshëm./RTSH