Ministria e Ekonomisë: Kurum nuk është tërhequr nga privatizimi i 4 HEC-eve
Negociatat mes kompanisë Kurum dhe Ministrisë së Ekonomisë për vendosjen e kushteve në kontratë për blerjen e 4 HEC-eve, kanë edhe katër javë afat. Në një intervistë për Vizion Plus, zv.ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, sqaron se deri tani kompania fituese e tenderit të privatizimit të këtyre hidrocentraleve nuk është tërhequr dhe se brenda pak ditësh do të ndodhë transaksioni i shumës 110 milion euro në arkën e shtetit, që është edhe vlera totale që këto HEC-e janë shitur.
Sipas zv.ministrit Bozdo, gjatë zhvillimit të negociatave mes komisionit të vlerësimit të ofertave dhe kompanisë Kurum, nuk është vënë asnjëherë në diskutim pjesa nëse firma i disponon apo jo paratë për blerjen e HEC-eve. Sipas tij, pjesa më e madhe e kompanive nuk i mbajnë paratë në formën e kesh-it, por kjo nuk duhet të lerë vend për abuzime.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, pjesa e rimbursimit të TVSH-së së prapambetur së kompanisë Kurum nuk ka të bëjë me procesin e privatizimit. Tenderi për privatizimin e HEC-eve të Ulzës, Shkopetit dhe Bistrica 1 dhe 2 është diskutuar gjatë për sa i përket gjetjes së mjeteve financiare nga kompania Kurum. Ndërkohë paratë që financat parashikojnë të marrin nga ky proces, janë marrë hua nga qeveria disa javë më parë në formën e bonove të thesarit, para që do të shlyhen më vonë pasi Kurum të bëjë derdhjen e shumës./b.l