E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Financave emeton për herë të parë obligacione 2,5-vjeçare

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Ministria e Financave do të përdorë për herë të parë obligacione 2,5-vjeçare për huamarrjen e brendshme gjatë vitit 2026. Ankandi i parë për këtë instrument është planifikuar të zhvillohet në janar, ndërsa dy rihapje të tjera do të realizohen në muajt shkurt dhe mars.

Për tremujorin e parë të vitit 2026 parashikohet emetimi i një borxhi të ri prej 134 miliardë lekësh. Në total, gjatë vitit 2026 vlera e emetimeve të bonove dhe obligacioneve në tregun e brendshëm pritet të arrijë në 380,1 miliardë lekë, ndërsa huamarrja neto do të jetë rreth 45 miliardë lekë, më e ulët se në vitin 2025.

Tregu i titujve të borxhit qeveritar ka shënuar rënie të yield-eve gjatë dy viteve të fundit, si pasojë e kërkesës më të moderuar të qeverisë dhe përmirësimit të vlerësimit të riskut sovran, çka ka nxitur interesin e investitorëve vendas dhe ndërkombëtarë.

Borxhi publik bruto pritet të vijojë trajektoren rënëse, duke zbritur në rreth 54,1 për qind të PBB-së në vitin 2025 dhe në rreth 53,6 për qind në vitin 2026, me projeksione që e çojnë në rreth 46,4 për qind në vitin 2031.

Gjatë periudhës janar-shtator 2025 huamarrja bruto arriti në 365.8 miliardë lekë, në përputhje me buxhetin dhe planin vjetor të huamarrjes.

Rreth 78,7% e financimit u sigurua nga tregu i brendshëm dhe 21,3% nga burime të huaja.

Në tregun vendas u emetuan 288 miliardë lekë tituj shtetërorë, me një orientim më të madh drejt instrumenteve afatgjata, ndërsa kërkesa në ankande tejkaloi ofertën pothuajse në të gjitha rastet.

1 nga 3

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›