E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ministria e Jashtme gjen dhe shpëton nga rreziku 19-vjeçarin shqiptar në Sierra Leone, nëna: Ma sollën shëndoshë e mirë nga Afrika, 5 muaj pa e takuar! PAMJET emocionuese

Pas disa ditësh përpjekjesh intensive, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) e Shqipërisë ka arritur të realizojë me sukses riatdhesimin e një të riu shqiptar, i cili ndodhej në rrezik në Sierra Leone, në kontinentin afrikan.

Kërkesa për ndihmë erdhi nga e ëma e 19-vjeçarit, F. T., disa ditë më parë, dhe MEPJ e mori menjëherë nën shqyrtim situatën.

“Nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe me mbështetje të koordinuar me autoritetet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë, u mundësua një reagim i shpejtë dhe i efektshëm. Me përpjekjet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme, operacioni u përmbyll me sukses brenda një periudhe të shkurtër, duke bërë të mundur që i riu të kthehej i sigurt dhe i shëndetshëm pranë familjes së tij”, njoftoi institucioni.

Edhe nëna e adoleshentit ka reaguar për këtë operacion me fund të lumtur, duke falenderuar autoritetet, MPEJ, Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, që i sollën djalin shëndoshë e mirë, 5 muaj pa e takuar

“Falenderoj Ministrinë e Jashtme, që mundësoi ardhjen e djalit tim. Kaluan një javë sakrificash me gatishmëri. Unë si nënë jam shumë e lumtur që takova djalin tim pas kaq kohësh, pas 5 muajsh. Falenderoj si nënë Policinë e Shtetit dhe veçanërisht ministrin, që më ndihmuan dhe më sollën djalin shëndoshë e mirë nga Afrika”, shprehet ajo e emocionuar.

MEPJ shprehu falënderimet për të gjithë autoritetet që morën pjesë në këtë operacion dhe siguron se do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të palodhur për shtetasit shqiptarë, kudo që ndodhen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›