Ministria e Mbrojtjes: 20 vatra zjarri sot, 4 mbeten aktive

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi sot se në territorin e vendit janë raportuar 20 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive, 3 janë nën mbikëqyrje dhe 3 janë shuar plotësisht.
Për përballimin e situatës janë angazhuar në total 183 forca operacionale dhe 21 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 80 forca ushtarake dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat aktive kryesore janë në Dajt–Qafë Priskë, ku situata vijon problematike por pa rrezik për zonat e banuara; në Vajkal, Bulqizë, ku zjarri ka përshkuar mbi 13 ha dhe po punohet me angazhim të konsiderueshëm forcash; në Lundre, Mat, ku janë përshkuar/djegur rreth 90–100 ha pyll dhe operacioni është mbështetur edhe nga 1 helikopter i FA; si dhe në Mallunxë, Mat, ku po punohet për shuarjen e zjarrit në pyll.
Ndërkohë, vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq dhe malin e Qukësit janë nën mbikëqyrje.
Në Iballë (Fushë-Arrëz), për shkak të terrenit shumë të thyer dhe të paaksesueshëm, është angazhuar edhe 1 helikopter i FA dhe situata është në mbikëqyrje.
Zjarret në Podgorc, Psar dhe Therepel–Skrapar janë shuar plotësisht; në Therepel zjarri kishte rrezikuar tubacionin e gazsjellësit TAP.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
/k.s/r.e/