Ministria e Shëndetësisë: 26 të lënduar të trajtuar tek Trauma, dy efektivë dhe dy protestues nën kujdes mjekësor

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Njëzet e gjashtë persona, efektivë policie, protestues dhe kalimtarë, janë trajtuar gjatë ditës së sotme në Spitalin Universitar të Traumës, pas lëndimeve të marra gjatë protestës në Tiranë.
Sipas përditësimit mbi gjendjen shëndetësore, të publikuar në orën 19:31 nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, aktualisht nën kujdesin mjekësor janë dy efektivë të Policisë së Shtetit dhe dy protestues.
Efektivi me inicialet D.K. është shtruar në shërbimin e Neurokirurgjisë për monitorim të mëtejshëm dhe paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërsa efektivi F.R., i ardhur nga Shkodra, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një dëmtimi në kokë. Sipas njoftimit, pritet vlerësimi i mëtejshëm i gjendjes së tij.
Nga ana tjetër, dy protestues vijojnë të marrin kujdes mjekësor dhe paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore. Njëra prej tyre, një vajzë, ndodhet në observim dhe paraqitet në gjendje stabël.
Ndërkohë, pak minuta para publikimit të përditësimit, në Spitalin e Traumës kanë mbërritur edhe tre kalimtarë, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Sipas njoftimit, aktualisht në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) nuk ka persona të lënduar të shtruar.
/gj.m/r.e/