Ministria e Shëndetësisë në Gazë: Numri i viktimave ka arritur në mbi 8.000

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi tha se numri i palestinezëve të vrarë që kur nisi lufta me Izraelin më 7 tetor ka kaluar shifrën prej 8.000.
Ministria konfirmoi se numri i palestinezëve të vrarë ka arritur në 8.005, përfshirë mbi 3.300 të mitur dhe mbi 2.000 gra.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë është pjesë e Qeverisë që udhëhiqet nga Hamasi, por po ashtu përfshin mjek dhe shërbyes civilë që nuk janë të lidhur me grupin.
Numri i viktimave që nga nisja e luftës, kalon numrin e viktimave që janë regjistruar nga Kombet e Bashkuara, madje edhe nga vlerësimet e Izraelit. Ministria e Shëndetësisë në Gazë javën e kaluar publikoi emrat dhe moshën e shumicës së viktimave të regjistruara dhe tha se disa nga trupat e pajetë ende nuk janë identifikuar.
Mbi 1.400 persona janë vrarë në Izrael – shumica civilë – gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor.
Që atëherë, Izraeli ka sulmuar nga toka, ajri dhe deti Rripin e Gazës, ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë.
Si e llogarit Ministria e Shëndetësisë e Gazës numrin e të vrarëve në luftë?
Nuk është e lehtë të japësh përgjigje të saktë derisa Izraeli e mban të rrethuar dhe e bombardon pareshtur Gazën. Shërbimi telefonik nuk është i mirë. Rrymë dhe internet nuk ka. Rrugët janë prishur dhe lagjet janë rrafshuar nga bombardimet, duke e ngadalësuar punën e ekipeve të shpëtimit.
Mjekët shkarravisin në fletoret e tyre në korridoret e spitaleve dhe morgjeve të mbingarkuara, duke pasur vështirësi t’i llogarisin trupat e ngecura nën rrënoja dhe të hedhur në varrezat masive të gërmuara me nxitim. E gjithë kjo rrëmujë i ka shtuar mundësitë për gabime.
Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë në Gazë – një agjenci në Qeverinë e udhëhequr nga Hamasi – vazhdon ta llogarisë numrin e përgjithshëm të të vrarëve. Ajo e publikoi raportin e saj herw pas here të hollësishëm për numrin e të vrarëve, duke dhënë emrat, numrat personalë, moshën dhe gjininë e palestinezëve për të cilët thotë se janë vrarë.
Associated Press është në mesin e një numri të vogël të organizatave ndërkombëtare të lajmeve që ka ekip brenda Gazës. Derisa këta gazetarë nuk mund ta bëjnë një llogaritje gjithëpërfshirëse, ata e kanë parë një numër të madh të kufomave në vendet e goditura nga sulmet ajrore, në morgje dhe në varrime.
“Numrat mund të mos jenë plotësisht të saktë kur jepen minutë pas minute, por ata pasqyrojnë dukshëm shkallën e të vrarëve dhe plagosurve”, tha Michael Ryan nga Programi për Emergjenca Shëndetësore i Organizatës Botërore të Shëndetësisë./REL/AP/
/rtsh.al/