Ministrja Koçiu: Projekti i ri për Spitalin Psikiatrik në Elbasan

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale pamje nga projekti i ri i Spitalit të ri Psikiatrik.
“Një strukturë e re jo vetëm moderne, por edhe funksionale sipas koncepteve bashkëkohore të menaxhimit spitalor. Godina do të jetë prej 3270 m² dhe do të akomodojë 70-80 pacientë, me 26 dhoma, 2 mensa e 2 dhoma rekreacioni”, tha Koçiu.
“Mbetemi të angazhuar për të investuar në shëndetin, mirëqenien dhe dinjitetin e qytetarëve. Shëndeti mendor është një prioritet kritik për shoqërinë në tërësi”.
Përveç investimit në infrastrukturë, mobilim dhe pajisje, për MSHMS është e rëndësishme që të vijohet edhe investimi në kapacitete humane, që do të thotë në trajtimin dhe trajnimin e vazhdueshëm të stafeve që shërbejnë në këto struktura spitalore me protokolle shëndetësore të miratuara tashmë.
Spitali Psikiatrik i Elbasanit, Spitali Psikiatrik i Vlorës dhe 60 qendra shëndetësore i shtohen infrastrukturës shëndetësore tërësisht të rehabilituar dhe që do të përfundohen brenda vitit 2024, investime të buxhetit të shtetit, por dhe me mbështetjen e Bankës Botërore.
/rtsh.al/