E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministrja Mirela Kumbaro nga Saranda: janë dyfishuar plazhet publike, prioritet pastrimi i bregdetit

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro e shoqëruar nga kryetari i bashkisë Oltion Çaçi, vizitoi sot bregdetin e Sarandës dhe të Ksamilit.

Gjatë këtij inspektimi, ministrja është takuar me përfaqësues të operatorëve të pastrimit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, biznese e banorë për të komunikuar porositë për menaxhimin e mbetjeve, pastrimin dhe respektimin e hapësirave të plazheve.

Krahasuar me vitet e shkuara, Saranda tha Kumbaro është në vitin e saj më të mirë të organizimit, sidomos përsa i përketë ccështjes së pastërtisë.

Duke iu referuar shifrave të raportuara nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Mirela Kumbaro, tha se, “në të gjithë vijën e bashkisë Sarandë ka 96 kontrata të lidhura për parcela të menaxhuara nga subjektet private dhe rreth 150 parcela publike, bashkë me pjesën e qytetit, që është një shifër rekord. Më vjen mirë që nga bashkia në bashki gjatë gjithë inspektimeve që kemi bërë në territor, secila nga bashkitë e bregdetit është përpjekur të gjejë disa formula të reja, jo thjesht të respektojë kriteret minimale të rregullores së plazheve për të liruar hapësirat publike, por të gjejë edhe dakordësi me bizneset për të krijuar disa lehtësi për pushuesit. Ndërkohë që 30% plazhe publike është kufiri minimal, në të gjitha bashkitë jemi 50-60% me plazhe publike”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Ndaj tha ajo, në Sarandë, rezervimet kryesisht nga flukset e huaja vazhdojnë deri në muajt tetor-nëntor dhe se krijimi i itinerareve të përbashkëta me Gjirokastrën do të zgjaste turizmin e muajve të dimrit në Sarandë.

Në vijim të inspektimit, ministrja Kumbaro vizitoi edhe Ksamilin, duke bërë thirrje për mbajtjen pastër të plazheve publike të këtij bregdeti që është një kartolinë prezantuese e bregdetit të Jonit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›