Ministrja Sala, mes 10 grave me ndikim në onkologji në listën botërore të OncoDaily 2026

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, është renditur në 10 emrat e parë të listës “100 Gratë me Ndikim në Onkologji 2026” të OncoDaily, një nismë ndërkombëtare që vlerëson gratë që po sjellin ndryshime të rëndësishme në kujdesin dhe trajtimin e kancerit në mbarë botën.
Që prej vitit 2023, OncoDaily e ka kthyer Ditën e Barazisë së Grave në Shtetet e Bashkuara, më 26 gusht, në pikënisjen e një tradite të veçantë, përzgjedhjen dhe promovimin e 100 grave që kanë dhënë kontribut të spikatur në fushën e onkologjisë.
Në listën e vitit 2026, ministrja Sala vlerësohet për rolin e saj në zhvillimin e politikave dhe reformave kombëtare në fushën e kancerit në Shqipëri.
Sipas OncoDaily, gjatë drejtimit të saj në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, onkologjia është vendosur në qendër të reformës shëndetësore, me fokus te krijimi i një Instituti Kombëtar të Onkologjisë dhe Rrjetit të Kancerit, standardizimi i protokolleve të trajtimit dhe zgjerimi i kapaciteteve rajonale për kimioterapi dhe radioterapi.
Gjithashtu, në vlerësim përmenden rritja e financimit për barnat kundër kancerit, si dhe forcimi i programeve për depistimin e kancerit të qafës së mitrës dhe parandalimin e HPV-së.
/rtsh.al/