Ministrja e Bujqësisë me fermerët e Konispolit, Denaj: Mbështetje me grante dhe kredi

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, zhvilloi një takim me fermerë në Bashkinë e Konispolit, ku u ndal te rëndësia e skemave kombëtare të mbështetjes për bujqësinë.
Ministrja bëri thirrje për më shumë vëmendje nga fermerët ndaj këtyre mundësive, që jo vetëm rrisin prodhimin, por garantojnë zinxhirin e plotë të tij. Znj. Denaj njoftoi se qeveria shqiptare ka miratuar një vendim për të hedhur në korrik një tjetër skemë investimesh me mbështetje 50% në formë granti për infrastrukturat bujqësore, njësoj si vitin e kaluar.
“Qeveria shqiptare, me vendimin më të fundit, ka siguruar fondet për të hedhur në muajin korrik një skemë të re investimesh, sikurse vitin e shkuar, për të mbështetur me 50% grante këto infrastruktura të prodhimit,” deklaroi ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Gjatë takimit, fermerët përfitues të skemës së investimeve, ndanë përvojën e tyre duke theksuar se mbështetja nga shteti u ka mundësuar të pajisen me zetorë. Ata e cilësuan ndihmën si thelbësore për përmirësimin e punës në fermë dhe rritjen e produktivitetit.
Ky takim në Konispol dëshmoi edhe një herë angazhimin e qeverisë për të mbështetur fermerët shqiptarë me instrumente konkrete financimi, skema investimesh dhe politika të qarta për zhvillimin e bujqësisë.
Gazetare: Boralda Pëllumbi
/rtsh.al/