E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrja e Ekonomisë në Vjenë, prezanton reformat financiare për integrimin evropian

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ishte e pranishme në CEE Forum 2026 të zhvilluar më 13-14 janar në Vjenë, Austri, ku mori pjesë në panelin me temën “A është sistemi financiar shqiptar gati për anëtarësimin në Bashkimin Evropian?”.

Në fjalën e saj, Ibrahimaj theksoi se diskutimet u përqendruan tek roli i sektorit financiar në procesin e integrimit evropian, stabiliteti dhe qëndrueshmëria e sistemit financiar shqiptar, integrimi në SEPA, si dhe reformat për digjitalizimin, inovacionin dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

 “CEE Forum 2026 shërbeu si një platformë e rëndësishme për forcimin e dialogut me institucionet financiare dhe investitorët ndërkombëtarë, si dhe për promovimin e prioriteteve ekonomike dhe reformuese të Shqipërisë”, u shpreh ministrja në një postim në rrjetet sociale.

Në panelin e organizuar nga Banka Kombëtare Tregtare morën pjesë gjithashtu Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe drejtoresha ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Adela Xhemali, të cilët sollën perspektivat institucionale mbi sfidat dhe mundësitë e sistemit financiar shqiptar në kuadër të integrimit evropian.

Ky forum i përvitshëm mbledh personalitete të spikatura nga akademia, ekonomia dhe sektori financiar i vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore për të diskutuar zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare, duke u fokusuar në rajonin lindor dhe juglindor të kontinentit.

 Temat e trajtuara përfshinë politikat monetare, normat e interesit dhe stabilitetin e çmimeve, goditjet nga ana e ofertës, financimin e gjelbër dhe rolin e politikës monetare, rreziqet klimatike, mbikëqyrjen bankare, pavarësinë e bankave qendrore, përfshirjen financiare përmes bankingut digjital dhe perspektivat e monedhës digjitale të bankës qendrore.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë forum u konsiderua një mundësi e rëndësishme për të rritur besimin e investitorëve ndërkombëtarë dhe për të treguar se vendi është i angazhuar në reformat e nevojshme për të përmbushur standardet e Bashkimit Evropian.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›