E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministrja serbe shton cinizmin: Duhej të kisha përdorur termin “deportim”

Ministrja serbe shton cinizmin: Duhej të kisha përdorur termin “deportim”

Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka reaguar pas polemikave të shkaktuara nga deklarata e saj për Kosovën, duke pretenduar se një pjesë prej shtatë sekondash e intervistës së dhënë për televizionin Kurir është nxjerrë jashtë kontekstit për ta akuzuar për mbështetje të spastrimit etnik.

Megjithatë, gjatë reagimit të saj, Paunoviç përsëriti qëndrimin e shprehur më herët, duke thënë se ndoshta do të kishte qenë më e përshtatshme të përdorte termin “deportim” në vend të “spastrimit etnik”, për të shmangur reagimet.

Deklarata e saj erdhi pasi fundjavën e kaluar, në një intervistë për Kurir TV, ministrja tha se, po të kishte qenë në vendin e ish-presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç në vitin 1998, do ta kishte “pastruar etnikisht Kosovën”, deklaratë që ngjalli reagime të forta.

Duke folur për televizionin Prva, Paunoviç tha se deklarata e saj ishte keqpërdorur për qëllime politike.

“Kur nxjerr shtatë sekonda nga një emision i tërë, mund të bësh pikërisht atë që bënë ata.”

Ajo shtoi se me termin “deportim” kishte parasysh largimin e personave që, sipas saj, nuk respektonin ligjet dhe Kushtetutën e atëhershme të Republikës Federale të Jugosllavisë, ndërsa për ata që i cilësoi si “terroristë” tha se duhej të vepronin forcat zyrtare të sigurisë.

Sponsorizuar

Ministrja kritikoi gjithashtu kërkesën e 53 deputetëve të opozitës në Parlamentin serb për shkarkimin e saj, duke i akuzuar kundërshtarët politikë dhe disa media se po e shfrytëzojnë çështjen për interesa politike.

Paunoviç reagoi edhe ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’ia ndaluar hyrjen në vend, duke kritikuar ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla. Ky i fundit ka hedhur poshtë më herët pretendimet e bëra ndaj tij.

Në fund, ministrja deklaroi se është e gatshme të japë dorëheqjen nëse shumica e qytetarëve serbë do ta konsiderojnë deklaratën e saj si problem për vendin.

“Nëse shumica e Serbisë e kërkon këtë, nuk do të kem problem të tërhiqem”, u shpreh Paunoviç.a.b

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›