E Martë, 3 Nëntor 2026

Miratohen kreditë me interes 0% për familjet në nevojë, skema e aplikimit dhe kush përfiton

Këshilli i Ministrave ka marrë një vendim për të ndihmuar familjet e cenueshme të kenë akses në strehim. Kredia me interes 0%, e subvencionuar nga buxheti i shtetit, do të ofrohet përmes Entit Kombëtar të Banesave (EKB).

Kush përfiton?

Kjo skemë kredie është e drejtuar për familjet që banojnë si qiramarrës në ish-pronë private, të cilët duhet të lirojnë banesën për pronarët e ligjshëm; fFamiljet e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë; fëmijët në përkujdesje të Republikës.

Si kryhet aplikimi dhe dokumentacioni i nevojshëm

Aplikimi do të bëhet online në portalin qeveritar “e-Albania”, përmes sistemit të EKB-së.

Dokumentacioni i përgjithshëm që duhet të ngarkohet për të gjithë aplikantët është vërtetimi negativ nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme që asnjë anëtar i familjes nuk zotëron pronë në të gjithë territorin e Shqipërisë, ose vërtetimi për një pronë që është nën normat e banimit.

Për kategoritë specifike, nevojitet edhe dokumentacion shtesë.

Për qiramarrësit në ish-pronë private kërkohet dokumentacioni i vjetër i autorizimit të banimit, vendimi i gjykatës për kthimin e pronës, certifikata e gjendjes familjare e datës 1 dhjetor 1992 dhe një vërtetim nga organet tatimore.

Ndërsa për familjet e punonjësve të Policisë,  Ministria e Brendshme do t’i përcjellë direkt EKB-së dokumentacionin që vërteton statusin e familjes.

Për fëmijët në përkujdesje të Republikës kërkohet certifikata personale e fëmijës, kopja e dokumentit të identifikimit të kujdestarit ligjor, si dhe prokurë nëse aplikuesi nuk është kujdestari.

Procedura e miratimit dhe administrimi

Sipas vendimit, kërkesat do të shqyrtohen nga një komision ad hoc i ngritur pranë EKB-së. Familjet e miratuara do të përfshihen në një listë pritjeje pa afat kohor. Përfituesit do të kreditohen nga institucionet financiare me të cilat Ministria e Strehimit ka marrëveshje.

EKB do të monitorojë zbatimin e programit dhe do të ndërpresë subvencionimin në rast të zbulimit të dokumenteve të falsifikuara, deklaratave të rreme ose moslirimit të pronës së pronarit të ligjshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›