E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Miratohen standardet për zonat dhe parcelat ku do të lejohet kultivimi i kanabisit mjekësor dhe industrial

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Qeveria ka miratuar standardet për zonat dhe parcelat e tokës, në të cilat do të lejohet kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave me propozim të  ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Standardet për zonat dhe parcelat e tokës për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale janë: parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave: të mbrojtura e të zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, të shpallura si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave; të pyjeve, kullotave dhe livadheve; ushtarake; të përcaktuara si sistem urban në dokumentet e planifikimit vendor të territorit.

Sipas vendimit të qeverisë parcelat e tokës duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km, në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, të miratuara sipas legjislacionit për bletarinë.

Po ashtu parcelat e tokës, duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 km në rrugë ajrore nga zonat ushtarake dhe pasuritë/pronat në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në bazë të vendimit të qeverisë, toka apo terrenet ku kultivohet kanabisi i mjekësor, duhet të plotësojnë standardet e parashikuara në udhëzuesit për praktikat e mira bujqësore e të grumbullimit të Agjencisë Evropiane të Barnave dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe në standardet e parashikuara nga Organizata Ndërkombëtare për Standardizim (ISO).

“Në rastet kur, për ushtrimin e aktivitetit parashikohet kryerja e ndërhyrjeve ndërtimore në parcelën e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, ndërtimi kryhet sipas përcaktimeve të legjislacionit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit”, thuhet më tej në vendim.

Sipas vendimit në rastet, kur parcela e tokës përdoret për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore apo industriale, ajo duhet të jetë e pajisur me aktin e fitimit të pronësisë.

Standardet e parashikuara për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale siç janë: parcelat e tokës, që nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave të përcaktuara si sistem urban në dokumentet e planifikimit vendor të territorit si dhe parcelat e tokës që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, nuk aplikohen kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura.

(Vendimi i plotë) /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›