Miratohet indeksimi i pagës me 2,5% për punonjësit e arsimit parauniversitar

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë në institucionet arsimore dhe në institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar”.
Sipas vendimit të qeverisë pagat për punonjësit mësimorë dhe jomësimorë të arsimit parauniversitar do të indeksohen me 2,5%.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga buxheti i institucioneve përkatëse, të miratuara në ligjin “Për buxhetin e vitit 2026”.
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore përballohen nga transferta e miratuar në ligjin “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe nga të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore.
Ngarkohen Ministria e Arsimit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.
/k.s/a.f/r.e/