Miratohet ligji, njihen vitet e punës në kooperativa dhe ndërmarrje shtetërore

Qeveria ka miratuar një projektligj të rëndësishëm, i cili mundëson njohjen e periudhave të punës në institucionet shtetërore, ish-ndërmarrjet shtetërore, ish-ndërmarrjet bujqësore dhe ish-kooperativat bujqësore si vite sigurimi për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore.
Ky ligj synon të përfshijë një kategori të gjerë qytetarësh që kanë kontribuar ndër vite, por që nuk kanë përfituar dot një pension të plotë për shkak të mungesës së dokumentacionit.
“Duke filluar nga data 13 mars të vitit 2025-së, tashmë periudhat e vjetërsisë së punës do të njihen për ish-kooperativat bujqësore nga mosha 18 vjeç deri në mbylljen e aktivitetit të ish- kooperativave bujqësore, 19 korrik të vitit 1991. Dhe për ish-ndërmarrje shtetërore do të jenë periudhat e vjetërsisë së punës nga mosha 18 vjeç deri në 30 shtator të vitit 1993”, tha Riza Ashimi, specialist i përfitimeve në DRSSH, Korçë.
Aplikimi do të bëhet përmes portalit e-Albania, ku individët duhet të plotësojnë një deklaratë personale për periudhën e punës dhe të bashkëngjisin një certifikatë banimi.
“Qytetari do të deklarojë vetëm periudhat e sigurimit që nga mosha 18 vjeç deri në ’93. Nëse ka edhe para moshës 18 vjeç apo pas vitit 1993, dhe nga strukturat e sigurimeve shoqërore do të verifikohen vetëm vendbanimi dhe nëse ka qenë i dënuar apo jo”, tha Ashimi.
Ky ligj është një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë sociale për mijëra qytetarë që meritojnë një pension të denjë për kontributin e tyre ndër vite.
/rtsh.al/