Miratohet projektligji për marrëveshjen me Gjermaninë ndaj ndryshimeve klimatike

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Komisioni për Politikën e Jashtme, ai i Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit dhe komisioni për Çështjet Europiane miratuan sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, mbi bashkëpunimin teknik 2022, për projektin “Programi për një zhvillim urban rezistent ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri”.
Në komisione ishte e ftuar zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ilva Gjuzi, e cila u shpreh se “përmes këtij projektligji qeveria gjermane vë në dispozicion për projektin shërbime në personel e materiale, si dhe kontribute financimi, në një vlerë të përgjithshme fillestare, gjithsej 3 milionë euro, në formën e grantit”.
“Marrëveshja është nënshkruar nga palët më 12 Korrik 2024. Ky projekt synon të kontribuojë në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit dhe ka në fokus të forcojë rezistencën e Shqipërisë kundër rreziqeve klimatike”, tha Gjuzi.
Relatorja e çështjes, Mirela Pitushi, vuri në dukje se duke u nisur nga marrëdhëniet ekzistuese miqësore ndërmjet Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Shqipërisë si dhe nga dëshira për t’i forcuar e thelluar këto marrëdhënie nëpërmjet bashkëpunimit teknik si partnerë, palët kanë rënë dakord të lidhin këtë marrëveshje.
“Projekti në fjalë ka si qëllim të kontribuojë në zhvillimin social dhe ekonomik në Republikën e Shqipërisë, duke iu referuar bisedimeve qeveritare mes qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të datës 13 dhjetor 2022, si dhe ka në fokus të forcojë rezistencën e Shqipërisë kundër rreziqeve klimatike”, tha Pitushi.
/k.s/a.f/