Miratohet projektligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, si dhe udhëzimi për kostot mesatare të ndërtimit të banesave për vitin 2025

Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë një sërë vendimesh të rëndësishme, duke përfshirë një projektligj të ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe një udhëzim për kostot mesatare të ndërtimit të banesave për vitin 2025.
Projektligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve synon të krijojë një sistem të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve në Shqipëri, duke pasur si qëllime kryesore mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik, si dhe përdorimin më efikas të burimeve natyrore për të mbështetur kalimin drejt ekonomisë qarkulluese.
Projektligji përcakton rregullat kryesore për funksionimin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve, duke u fokusuar në:
Parandalimin ose reduktimin e mbetjeve.
Minimizimin e ndikimeve negative nga krijimi dhe trajtimi i tyre.
Rritjen e eficiencës në përdorimin e burimeve.
Disa kategori të veçanta, si shkarkimet në atmosferë, tokat e paprekura, mbetjet radioaktive, anijet e dala jashtë përdorimi, mbetjet nga aktivitetet minerare dhe ujërat e përdorura, përjashtohen nga fusha e zbatimit të këtij ligji.
Ky projektligj është i përafruar me Direktivën 2008/98/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, duke siguruar kështu harmonizimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.
Udhëzimi për kostot mesatare të ndërtimit të banesave për vitin 2025
Enti Kombëtar i Banesave ka miratuar edhe kostot mesatare të ndërtimit të banesave për vitin 2025, të cilat do të jenë 56 491 lekë/m² sipërfaqe shfrytëzimi në nivel kombëtar. Vlerat specifike për qytete të ndryshme do të pasqyrohen në një tabelë të veçantë, ndërsa për zonat pa të dhëna specifike, do të aplikohen vlerat e qytetit më të afërt.
Rëndësi i kushtohet gjithashtu faktit se në rast ndryshimesh në çmimet e materialeve të ndërtimit, kostoja e përcaktuar në manualin e integruar të çmimeve, e cila do të përpunohet përmes portalit qeveritar “e-Albania”, do të ketë përparësi mbi koston e përcaktuar në këtë udhëzim.
/rtsh.al/